Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar planin amerikan me 15 pika për Gazën, duke deklaruar se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht. “Izraeli e refuzon dokumentin me 15 pika”, tha Netanyahu gjatë mbledhjes së qeverisë. Ai theksoi se ushtria do të vazhdojë operacionet për të neutralizuar çdo kërcënim ndaj forcave dhe qytetarëve izraelitë. Plani, i mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe i pranuar nga Hamasi në fund të korrikut, parashikon dorëzimin e armëve te një strukturë e re qeverisëse palestineze. Izraeli do të niste tërheqjen e trupave paralelisht me procesin e çarmatimit. Netanyahu e kundërshton këtë skemë dhe kërkon që Hamasi të dorëzojë ose të shkatërrojë të gjitha armët përpara nisjes së tërheqjes izraelite. Pas një takimi me kryeministrin izraelit, Bordi i Paqes i krijuar nga Trump deklaroi se tërheqja do të kryhej vetëm pas çarmatimit të plotë të Hamasit. Kryeministri izraelit tha se bisedimet me Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë, por nënvizoi se jo të gjitha propozimet amerikane janë të pranueshme për Izraelin.