Irani ka deklaruar se do të shënjestrojë interesat sistemet bankare të lidhura me SHBA- në dhe Izraelin në rajon. Paralajmërimin e bëri sot një zëdhënës i qendrës së komandës së bashkuar të forcave të armatosura iraniane, duke shtuar se kërcënimi vjen pas një sulmi kundër një banke iraniane. “Pas fushatës së saj të dështuar, ushtria terroriste amerikane dhe regjimi brutal sionist (Izraeli) vunë në shënjestër një nga bankat e vendit. Me këtë veprim të paligjshëm dhe të pazakontë, armiku po na detyron të synojmë qendrat financiare dhe bankat e lidhura me SHBA-në dhe regjimin sionist në rajon”, tha Ebrahim Zolfaqari, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të shmangin bankat. Ndërkohë, më parë, zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane, Abolfazl Shekarchi, deklaroi se Teherani do t’u përgjigjet sulmeve të fundit amerikano-izraelite kundër zonave të populluara. Sekarci u bëri thirrje gjithashtu vendeve të rajonit dhe myslimanëve që të tregojnë “vendet e fshehta të SHBA-së dhe sionistëve” në mënyrë që të maksimizohet saktësia dhe ndikimi i sulmeve iraniane dhe të minimizohet dëmi ndaj civilëve, të cilët, siç denoncoi ai, “përdoren si mburoja njerëzore”. Ndërkohë Irani ka rifilluar sulmet ndaj disa vendeve të rajonit, duke deklaruar se ka nisur valën e 35-të të operacioneve ushtarake. Raportohet se disa raketa janë lëshuar drejt vendeve të Gjirit gjatë orëve të fundit. Kujtojmë se pak ditë më parë, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se vendi i tij nuk do të ndërmarrë sulme ndaj shteteve fqinje. Në Katar, raketat e ardhura janë interceptuar në qiell vetëm pak orë më parë. Ndërkohë, Arabia Saudite bëri të ditur se ka rrëzuar raketa që synonin një bazë ajrore ushtarake, si dhe dronë që kishin në shënjestër një fushë të madhe nafte. Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe njoftoi se i është përgjigjur një breshërie raketash gjatë mëngjesit, ndërsa Bahrain paralajmëroi banorët të kërkonin strehim për arsye sigurie. Autoritetet iraniane deklaruan se sulmet kishin në shënjestër instalime ushtarake në këto vende, si dhe një bazë amerikane në Kuvajt, por këto raportime nuk janë konfirmuar nga vendet përkatëse.