Dyshime për një rast helmimi ushqimor janë ngritur në kopshtin nr. 2 në Korçë, pasi një grup fëmijësh kanë shfaqur simptoma të ngjashme dhe disa prej tyre janë dërguar për trajtim në spital. Një prej prindërve, Koço Xexo, tregon se djali i tij pati të vjella, dobësi dhe zverdhje, ndërsa sipas tij, numri i fëmijëve që kanë shfaqur simptoma mund të jetë rreth 20. Xexo rrëfen se fëmijën e morën nga kopshti rreth orës 13:30, në përfundim të pjesës së ditës për fëmijët që nuk flenë gjumë. Fillimisht, fëmija kishte shfaqur shqetësime të lehta në bark, por më pas, pasi kishte fjetur dhe ishte zgjuar, gjendja e tij u përkeqësua.