Mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e “Big Brother VIP 5” u vendosën tre kuti emergjence, ku secila prej tyre fsheh një benefit ose një sfidë për banorët. Njëra prej kutive u hap mëngjesin e kësaj të diele nga Rogerti, i cili zgjoi finalistët e tjerë me zhurmë dhe tension në shtëpi. Ai u përfshi menjëherë në provokime dhe batuta ndaj banorëve, duke krijuar një situatë dinamike që në orët e para të mëngjesit. Rogerti u fokusua veçanërisht te Miri, ndaj të cilit përdori tone të larta dhe ironike, ndërsa ky i fundit nuk iu bashkua menjëherë pjesës tjetër të banorëve në living. Sipas asaj që deklaroi Rogerti, zarfi i gjetur në kutinë e emergjencës përmbante një sfidë, sipas së cilës ai duhej të thoshte nga pesë komplimente për secilin prej banorëve. Ai e nisi me Mirin, duke vlerësuar paraqitjen dhe mënyrën e komunikimit të tij. Megjithatë, situata u shoqërua me mosbesim nga ana e banorëve të tjerë. Mateo reagoi duke u larguar nga ambienti, ndërsa edhe Seli shfaqi dyshime mbi vërtetësinë e përmbajtjes së zarfit.