Gjirokastra, një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend, po përjeton një korrik me ritme më të ulëta vizitorësh, ndërsa sipërmarrësit e sektorit flasin për një rënie të ndjeshme të turistëve individualë dhe të grupeve. Sipas tyre, problemet me parkimin, mungesa e një oferte më të larmishme turistike dhe e aktiviteteve që e mbajnë vizitorin në qytet kanë ndikuar drejtpërdrejt në sezon. Ndërkohë, ata vlerësojnë se edhe protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit kanë krijuar një perceptim negativ, duke ndikuar në vendimmarrjen e një pjese të turistëve.