Astronautët e misionit “Artemis II” ndodhen tashmë në kapsulën Orion, ku po kryejnë kontrollet e fundit teknike, ndërsa numërimi mbrapsht për nisjen historike vijon në Qendrën Hapësinore “Kennedy” në Florida. Ky është misioni i parë me ekuipazh që do të shkojë drejt Hënës që nga “Apollo 17” në vitin 1972, duke shënuar një kapitull të ri për programin amerikan hapësinor. Nisja është planifikuar për në orët e para të mëngjesit të së enjtes sipas orës lokale të Shqipërisë, por nëse moti nuk lejon ngritjen, NASA ka parashikuar edhe data rezervë deri më 6 prill. Raketa gjigante SLS, e lartë 98 metra, do të transportojë kapsulën Orion në një udhëtim 10-ditor rreth Hënës dhe më pas kthim në Tokë.