Një operacion antidrogë i Guardia di Finanza në Itali ka çuar në sekuestrimin e mbi 111 kilogramëve kokainë, rreth 19 mijë eurove cash dhe arrestimin e tre personave, mes tyre një shtetas shqiptar. Operacioni u zhvillua nga efektivët e Komandës Provinciale të Ankonës, të cilët ndoqën një automjet të dyshimtë nga Ankona drejt zonës periferike të Parmës. Gjatë vëzhgimit, hetuesit konstatuan shkëmbimin e disa çantave të mëdha mes automjetit dhe një kamioni që iu afrua. Kontrollet zbuluan se lënda narkotike ishte fshehur në një hapësirë të posaçme të krijuar në kabinën e kamionit, ku u gjetën 100 pako kokainë, me një peshë totale prej mbi 111 kilogramësh.