Elon Musk dhe ish-drejtoresha e përgjithshme e platformës X, Linda Yaccarino, janë thirrur nga zyra e prokurorit të Parisit për datën 20 prill, pas një hetimi gjyqësor mbi funksionimin e algoritmeve të rrjetit social dhe chatbot-in Grok. Ndërkaq, gjatë së martës u krye kontroll në zyrat franceze të X nga seksioni i krimit kibernetik në bashkëpunim me Europolin, për të përcaktuar nëse ndryshimet e bëra pas blerjes së platformës nga Musk kanë favorizuar përhapjen e përmbajtjes së rreme dhe të orientuar politikisht. Hetimi u zgjerua më pas edhe ndaj Grok, chatbot-i me inteligjencë artificiale i integruar në X, për përdorimin e tij në manipulimin e imazheve. Sipas zyrës së prokurorit, softueri kishte aftësinë të prodhonte imazhe nudo dixhitale, duke përfshirë gra dhe të mitur, një funksion që kompania pretendonte se e kishte çaktivizuar. Zyra e prokurorit thekson se qëllimi është të sigurohet që platforma të veprojë në përputhje me ligjin francez dhe rregulloret evropiane. Hetimi francez ka nisur që në fillim të vitit 2025 , ndërsa bastisjet dhe thirrjet për dëshmi tregojnë përpjekjet e autoriteteve për të kontrolluar ndikimin e platformës X dhe të inteligjencës artificiale në përmbajtjen online.