Kryeministri Edi Rama publikoi të dielën shifrat e 24 orëve të para për platformën “Flamingo Mirror”, të prezantuar një ditë më parë nga qeveria dhe ku nisi publikimi i dokumenteve zyrtare për projektet që kanë shkaktuar debat publik. Dosja e parë e publikuar në platformë lidhet me projektet e investimeve në Sazan dhe Zvërnec, ndërsa siç njofton kryeministri Rama, brenda 24 orëve faqja është përballur me 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja. Po ashtu, sipas shifrave të publikuara nga kryeministri, “Flamingo Mirror” ka regjistruar 3397 kërkime për faqe dhe mbi 127 mijë kërkime në total. “‘Flamingo Mirror’ – një epokë e re transparence. Nga kalimi i saj LIVE, në 24 orët e para “Flamingo Mirror” ka regjistruar: 3,397 kërkime për faqe, mbi 127 mijë kërkime totale në platformë, 49 pyetje të reja dhe gjithashtu 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja, të cilat janë zmbrapsur pa asnjë dëm. Ky është vetëm fillimi i një përballjeje transparente mes fakteve të qeverisjes dhe llumit anti-shtet të kanaleve sociale”.