Ekspertët e sigurisë dhe mbrojtjes paralajmërojnë se Europa nuk është e gatshme për një konflikt të mundshëm me Rusinë, i cili mund të ndodhë brenda viteve të ardhshme. Ky përfundim u nxor nga një konferencë në Whitehall, e organizuar nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI). Sipas ekspertëve, Rusia po përgatitet seriozisht për një luftë të drejtpërdrejtë, ndërsa Evropa duhet të forcojë kapacitetet ushtarake dhe të ndryshojë mentalitetin, si në politikë ashtu edhe te qytetarët. Ata theksojnë se sulmet hibride të Moskës sabotime, ndërhyrje në hapësirën ajrore të NATO-s, bllokime GPS dhe dezinformim, janë tashmë të pranishme.