Eurodeputeti bullgar Andrey Kovatchev ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, ndërsa ka theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të merret në konsideratë. Gjatë një vizite në Shqipëri së bashku me kolegë nga Parlamenti Bullgar, Kovatchev u shpreh se javën e ardhshme në Strasburg do të miratohet në seancë plenare raporti vjetor i zgjerimit për Shqipërinë. Ai theksoi se Parlamenti Evropian mirëpret hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe vlerësoi faktin që forcat politike shqiptare mbështesin procesin e integrimit. “Ne e mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria dhe është shumë pozitive që të gjitha partitë politike janë të përkushtuara ndaj integrimit evropian”, u shpreh Kovatchev.