Vullkani Etna ka rikthyer shqetësimin në Sicili, pasi autoritetet kanë ngritur në nivelin e kuq alarmin për aviacionin, për shkak të emetimit të hirit vullkanik nga krateret në majën e vullkanit. Observatori Etneo i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) ka lëshuar një njoftim të ri, duke e kaluar në të kuq kodin e ngjyrës për aviacionin. Emetimi i hirit po monitorohet vazhdimisht përmes rrjetit të kamerave vizuale dhe termike të institutit. Sipas vlerësimeve të para, deri tani nuk është formuar një kolonë e lartë eruptive. Megjithatë, hiri i lëshuar në atmosferë po transportohet nga erërat në drejtim të jugut, duke rritur vëmendjen për ndikimin e mundshëm në trafikun ajror të zonës.