Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mbërriti në Kiev ku u prit me nderime të larta shtetërore nga homologu Volodimir Zelenski, që në këto momente të vështira, padyshim e vlerëson mjaft mbështetjen e Ankarasë. Vizita e Erdoganit vjen në vazhdën e përpjekjeve të kreut të shtetit turk për të ndërmjetësuar në krizën e krijuar mes Ukrainës dhe Rusisë, që ka grumbulluar 100 mijë trupa në kufirin me vendin fqinj. Përpjekja diplomatike e Erdoganit vjen në kohën kur Moska i akuzoi Shtetet e Bashkuara se i “hedhin benzinë zjarrit” e po rrisin tensionet me dërgimin e 1.000 ushtarëve në Rumani dhe 2.000 të tjerëve në Poloni, për të forcuar krahët lindorë të NATO-s.