Shtetet e Bashkuara kanë propozuar që Emiratet e Bashkuara Arabe të presin një takim trepalësh me Ukrainën dhe Rusinë, me qëllim diskutimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. “Pala amerikane ka propozuar një takim në nivel teknik, në format trepalësh”, u tha Zelensky gazetarëve. Ai shtoi se Ukraina është në pritje të një propozimi nga Shtetet e Bashkuara për datën e takimit, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe janë sugjeruar si një nga vendet ku ai mund të zhvillohet, raporton “Reuters”. Zelensky u takua këtë javë me presidentin amerikan, Donald Trump, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Në takim, sipas tij, u diskutuan mënyrat për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërkohë, Kremlini ka konfirmuar se një takim trepalësh me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara mund të zhvillohet së shpejti.