Një lojë e rrezikshme mes shokëve përfundoi në tragjedi në kryeqytet. 17-vjeçari që u plagos me armë zjarri fundjavën e kaluar nga miku i tij 19-vjeçar humbi betejën për jetën pas disa ditëve në spital. I mituri nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa autori ndodhet në paraburgim. Bashkë me të u arrestuan dhe dy të rinj, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit të së dielës në rrugën “Berit Beker”, kur 19-vjeçari i tregonte armën e zjarrit pistoletë shokut të tij duke besuar se nuk kishte fishekë në fole, e shkrepi aksidentalisht, duke e qëlluar në kokë viktimën. Policia vijon hetimet për ngjarjen, ndërkohë që në rrethana të tilla rëndohen akuzat ndaj autorit që armën e zjarrit e mbante pa leje në shtëpi.