Pas rezultateve zhgënjyese të republikanëve në zgjedhjet lokale të së martës, përfshirë edhe fitoren historike të Zohran Mamdanit në Nju Jork, Donald Trump ka reaguar me tone mbrojtëse, duke u përpjekur të distancohet nga humbjet e partisë së tij. Në një postim në Truth Social, Presidenti i SHBA shkroi: “Trumpi nuk ishte në fletëvotimi dhe mbyllja e qeverisë ishin dy arsyet pse republikanët i humbën zgjedhjet sonte”, duke ia atribuar dështimet faktorëve të jashtëm si mbyllja e përkohshme e qeverisë federale dhe mungesa e tij në garat lokale. Megjithatë, përpjekjet e tij rezultuan të kota: Mamdani triumfoi, ndërsa të gjithë kandidatët e mbështetur nga Trump humbën garat e tyre. Pas humbjeve, Presidenti tentoi të zhvendosë vëmendjen drejt një lajmi më të favorshëm për të, duke theksuar se intervista e tij në “60 Minutes” kishte “shikueshmërinë më të lartë në vite”. Analistët politikë në SHBA e kanë cilësuar reagimin e Trump si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë pas një serie dështimesh elektorale, që tregojnë një dobësim të ndikimit të tij politik në skenën republikane.