Policia e Fierit po heton një rast të pretenduar dhune në kopshtin numër 10 të këtij qyteti. Pak ditë më parë një edukatore 44-vjeçare u dhunua fizikisht nga nëna e një fëmije 4-vjeçar, e cila e akuzonte për dhunimin e të miturit. Policia ka nisur hetimet për të dyja gratë. Edukatorja e kopështit publik po hetohet në gjendje të lirë për dyshimet e keqtrajtimit të të miturit, ndërsa nëna e këtij të fundit po hetohet për dhunën e ushtruar ndaj edukatores. Paraprakisht, policia e Fierit sqaron se nga këqyrja e fëmijës nuk janë evidentuar shenja dhune, por hetimet për rastin nuk janë mbyllur. Sipas avokatit që mbron edukatoren, nëna është njoftuar nga sanitarja e kopshtit, e cila raportohet të jetë pezulluar nga puna pas incidentit.