Polarizimi politik, korrupsioni dhe protestat në Shqipëri ishin temat kryesore ku u fokusuan diskutimet e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, gjatë seancës së të martës. Eurodeputetët theksuan se Shqipëria ka shënuar progres në përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Evropian dhe meriton të mbyllë kapitujt e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027. Pavarësisht vlerësimit në procesin e integrimit, diskutimi për Shqipërinë u shoqërua me debate mes eurdeputetëve. Protestat e dhunshme të javëve të fundit u dënuan nga eurodeputetët, të cilët i bënë thirrje politikës të gjejë gjuhën e përbashkët për dialog. David McAllister, Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme: Muajt e fundit kemi parë një tablo më shqetësuese. Shqiptarët kanë dalë në rrugë, fillimisht lidhur me ndikimin mjedisor të zhvillimit të pronave në bregdet, dhe më pas, për të protestuar kundër korrupsionit dhe krizës së kostos së jetesës. Duhet të shohim çfarë mund të bëjmë ne për të ulur tensionet.