Ditën e sotme është mbledhur Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ku këtë herë ishte prezente Partia Demokratike, pas bojkotit që bëri mbledhjen e kaluar. Bashkëkryetari demokrat, Luçiano Boçi, por menjëherë pas tij edhe anëtarja Jorida Tabaku, nuk kursyen komentet kritikuese rreth këtij Komisioni. “Pas disa viteve do mblidhemi përsëri, për të bërë reformën e reformës që reformoi reformën e reformës së dështuar”, u shpreh Boçi. Pas kësaj ka ardhur menjëherë reagimi i bashkëkryetarit socialist, Arbjan Mazniku, i cili iu kundërpërgjigj, duke theksuar se fokusi duhet të jetë tek mundësitë e bashkive.