Temperaturat në disa qytete të vendit kanë arritur mbi 38 gradë Celsius, por pasditen e të enjtes moti ka ndryshuar ndjeshëm në veri, ku reshjet e dendura të shiut dhe rrebeshet kanë sjellë probleme në disa zona. Qarku i Kukësit është përfshirë nga moti i keq, i shoqëruar me shtrëngata shiu dhe aktivitet të dendur elektrik. Reshjet intensive, në formë stuhie, kanë prekur veçanërisht zonën e Tropojës. Në njësinë administrative Lekbibaj, si pasojë e reshjeve të dendura, janë regjistruar rrëshqitje dherash dhe materialesh inerte. Reshjet kanë shkaktuar gjithashtu rënie gurësh e dherash në disa fshatra të Lekbibajt, duke bllokuar për disa orë segmente rrugore dhe duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.