Mbipopullim, mungesë personeli dhe kushte denigruese. Kjo është panorama në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll të Lezhës, ku trajtohen personat ndaj të cilëve është caktuar masa e mjekimit të detyrueshëm. Alarmi është ngritur nga Avokati i Popullit, pas një inspektimi të zhvilluar në këtë institucion. Sipas gjetjeve, numri i personave të akomoduar është rreth dyfishi i kapacitetit, ndërsa mungesa e kushteve dhe e stafit mjekësor cenon rëndë trajtimin dhe të drejtat e tyre. Avokati i Popullit i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjnë menjëherë për përmirësimin e situatës, duke e cilësuar të papranueshme gjendjen në këtë institucion. Edhe komisionerët pranë Avokatit të Popullit kërkuan që IEVP Shënkoll të funksionojë si një strukturë e mirëfilltë spitalore, me infrastrukturën, personelin dhe standardet e nevojshme për trajtimin e personave me masa mjekësore.