Kreu i Spak Klodian Braho për më shumë se katër orë ka raportuar në Bruksel përpara përfaqësuesve të Komisionit Europian. Burime nga Delegacioni i Shqipërisë në BE, në kushtet e anonimatit i treguan Top Channel se Klodian Braho nuk ka qenë i vetëm në këtë "provim" të parë në Bruksel pas marrjes së detyrës. Ishte i shoqëruar nga disa hetues të BKH-s dhe këshilltar ligjor të BKH-s bashkë me shefin e kabinetit të tij. Të njëjtat burime treguan se kjo përballje e Klodian Brahos në Bruksel me Komisionin Europian lidhej me raportimin e progresit të kapitujve 23 dhe 24 për gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Numri një i SPAK i është përgjigjur me detaje të gjitha pyetjeve të përfaqësuesve të DG ENEST - Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore. Detyra primare e kësaj drejtorie në Komisionin Europian është menaxhimi çështjeve mes BE dhe vendeve kandidate. Sikurse monitoron has pas hapi reformat për sundimin e ligjit, zhvillimet ekonomike dhe reformën e administratës publike.