Kreditë që qytetarët dhe bizneset nuk arrijnë të shlyejnë në kohë po pakësohen duke e çuar sistemin bankar shqiptar pranë nivelit më të ulët të kredive me probleme në gati 19 vite. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në shtator ky tregues zbriti në 3.59%, nga 3.66% një muaj më parë dhe 4.37% në shtator të vitit të kaluar. Niveli aktual është pothuajse i njëjtë me minimumin e regjistruar në janar 2008 kur kreditë me probleme përbënin 3.58% të totalit. Përmirësimi nuk lidhet vetëm me faktin që qytetarët dhe bizneset po shlyejnë më rregullisht detyrimet e tyre por edhe me rritjen e portofolit të kredive dhe pastrimin e bilanceve të bankave nga huatë problematike.