Si pasojë e shkarjes së një masivi shkëmbor në afërsi të fshatit Krushev, në territorin e Republikës së Kosovës, është bllokuar rruga nacionale Dragash–Shishtavec. Sipas informacioneve nga terreni, shkarjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht të dy korsitë e lëvizjes, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor. Situata paraqet rrezik për sigurinë e mjeteve që kalojnë në këtë segment, pasi në këto momente janë rritur temperaturat duke shkaktuar shkrirje të borës e akullit por edhe të shkëputjes së shkëmbinjve, raporton korrespondenti i Top Channel Bekim Lekica. Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka dalë në vendngjarje dhe ka vendosur konët e bllokimit, duke sinjalizuar ndalimin e qarkullimit dhe duke parandaluar kalimin e mjeteve në zonën e rrezikuar. Po ashtu, pritet ndërhyrje për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit shkëmbor.