Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët foli për pasojat e motit të keq dhe korrupsionit në vend. Ai tha se gjatë kësaj jave janë dëmtuar qindra hektarë sera, mijëra kokë bagëti, si dhe infrastruktura e fshatrave në të katër anët e Shqipërisë. “Moti dhe korrupsioni në sinergji, në bashkëveprim, kanë pasur këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit. Dëmet janë kolosale jo vetëm në infrastrukturën, të cilat mediat i kanë paraqitur gjerësisht, por janë mijëra kokë bagëti, janë qindra hektarë sera, janë infrastrukturë e vogël e fshatrave, të rrënuara si asnjëherë në mote më parë.