Bashkimi Europian është në një linjë mendimi me Shtetet e Bashkuara sa i takon mundësinë për të shmangur një situatë të re “shpërthyese” në Kosovë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se blloku ka kërkuar nga institucionet kosovare, që ta shtyjnë me 10 muaj afatin e regjistrimit të automjeteve me targa serbe. Ndonëse e thekson se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, sipas Stanos, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët atje, dhe në përputhje me praktikat europiane.