Shumë shpejt evropianët do të kenë vetëm një karikues për telefonat dhe pajisjet e tjera elektronike. Zyrtarët e Bashkimit Evropian nënshkruan të martën një marrëveshje të përkohshme që kërkon që në 27 shtetet e bllokut të ketë një karikues uniform. Kjo marrëveshje është pjesë e një përpjekjeje më të madhe të BE-së për të bërë që produktet që shiten në bllok të jenë më të qëndrueshme dhe të zvogëlojnë sasinë e mbetjeve elektronike. Rregullat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi në vjeshtën e vitit 2024, nënkuptojnë se konsumatorët e BE-së do të duhet të përdorin vetëm një kabllo USB- të tipit C për pajisjet e vogla dhe të mesme portative elektronike.