Ka nisur mbrëmjen e kësaj të diele protesta kundër shkrirjes së Bashkisë së Selenicës. Siç raporton korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi, qindra qytetarë, banorë të zonës dhe përfaqësues të komunitetit janë mbledhur te Monumenti i Drashovicës për të kundërshtuar çdo vendim që parashikon bashkimin apo shkrirjen e bashkisë në kuadër të reformës së re territoriale. Me thirrje si “Selenica nuk mbyllet!” dhe “Larg duart nga Selenica!”, protestuesit kërkuan që Bashkia e Selenicës të vijojë të funksionojë si një njësi më vete, duke argumentuar se mbyllja e saj do të dëmtonte shërbimet për qytetarët dhe zhvillimin e zonës.