Vëllai i atletit të njohur me orgjinë shqiptare Pirro Dhima është arrestuar orët e para të ditës së sotme në Athinë. Nga sa pohuan burime policore, Odise Dhima u prangos pasi si në banesën e tij, ashtu edhe në qendrën sportive që drejtonte u gjetën sasi lëndësh stimuluese apo doping, të cilat u jepeshin sportistëve me qëllim rritjen artificiale të rezultateve të tyre sportive. Sipas akuzës, Dhima ka më shumë se 14 vjet që kryen këtë aktivitet, madje i ka dhënë lëndë të tilla edhe djalit të tij. Policia thotë se 58 vjecari kishte që prej prillit të vitit 2024, që furnizonte sportistët me substanca të ndaluara. Gjatë hetimit u zbulua edhe një rast i dhënies së një substance të ndaluar (nga lista e WADA-s) një sportisti të mitur gjatë një gare, rast për të cilin si trajneri ashtu edhe sportisti ishin dënuar më parë me përjashtim nga kjo garë dhe eventet sportive në tërësi. Gjatë kontrolleve në një banesë dhe në ambiente sportive në Atikë u gjetën dhe u sekuestruan 871 medikamente dhe substanca të paligjshme doping, tableta dhe ampula, të pamiratuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe të rrezikshme për shëndetin, 15.000 euro kesh, 17 kartela sportistësh, shënime me dorë dhe një telefon celular i cili do të verifikohet pasi ka dyshime se mbart prova shtesë të aktivitetit të paligjshëm të Odiesa Dhimës. Arrestimi u krye nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Organizatën Greke Antidoping (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF). 58 vjecari u dërgua në prokurori për tu marrë në pyetje dhe në vazhdim për masë sigurie në gjykatë e cila pritet të vendosë për mbajtjen apo jo të tij në paraburgim.