Detaje të reja dalin në dritë lidhur me incidentin e rëndë me armë zjarri të regjistruar mesditën e kësaj të shtune në një lokal të njohur në qytetin e Elbasanit, ndërsa është vënë në pranga autori i dyshuar. Siç raporton korrespondentja e Top Channel në Elbasan, Bruna Kërçyku, ngjarja, e cila për pak mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike, dyshohet se ka ndodhur rreth orës 14:50 dhe ka përfshirë një shtetas, ndaj të cilit është drejtuar një armë zjarri në një moment kur ai po largohej nga ambientet e lokalit. Sipas të dhënave paraprake të policisë të siguruara nga dëshmitë e personave të pranishëm dhe pamjet e kamerave të sigurisë, hetuesit kanë mundur të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes, para dhe gjatë përplasjes.