Disa anëtarë të Kongresit amerikan i bënë thirrje përmes një letre sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ta parandalojë kufizimin e mundshëm të trupave amerikane në Kosovë, duke thënë se një tërheqje e tillë rrezikon të shkaktojë paqëndrueshmëri jo vetëm vendin, por edhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor në një kohë të ndikimeve keqdashëse. “Radio Europa e Lirë” raporton se në letrën drejtuar Rubios më 11 mars, ata shprehën “shqetësim të thellë” me raportimet se administrata e presidentit Donald Trump mund të tërheqë një pjesë të forcave amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. “Në një kohë të brishtësisë së shtuar politike dhe të rritjes së ndikimit keqdashës në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë, veçanërisht Bosnjë dhe Hercegovinën. Ju bëjmë thirrje të ruani nivelin e forcave amerikane për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të ShBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letër. Letra e tyre vjen pasi më 19 shkurt gazeta amerikane, “Politico”, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleatët të shqyrtojnë kufizimin e angazhimeve të jashtme të aleancës, përfshirë edhe misionin në Kosovë. Rreth 590 forca amerikane shërbejnë në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. KFOR-i është forca e tretë e sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Por, ky mision paqeruajtës, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, dy vendeve fqinje që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara.