Një aplikacion pirat që shpërndante pa autorizim përmbajtje televizive dhe paketa të mbrojtura me të drejta autori, duke mashtruar përdoruesit që paguanin për të përdorur platformën është identifikuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. “AlbKanale” është bllokuar më 11 gusht 2026, pas një procesi monitorimi dhe analizimi teknik të kryer nga grupet e inspektimit të AMA-sa. Në fokus të ndërhyrjes kanë qenë transmetimet e paautorizuara të paketave të Digitalb dhe Tring, kanaleve të TV Klan dhe RTSH, si dhe përmbajtjeve sportive. Pas ndërprerjes së shërbimit, operatorët e “AlbKanale” kanë pretenduar se kanë qenë viktima të një sulmi kibernetik dhe u kanë kërkuar përdoruesve të kontribuojnë financiarisht për rikthimin e shërbimit, përfshirë pagesa në kriptomonedha. Nisur nga kjo situatë Autoriteti i Mediave Audiovizive paralajmëron qytetarët të mos dërgojnë fonde në adresë të tyre sepse “AlbKanale” është jashtë funksionit si rezultat i ndërhyrjes së AMA-s ndaj një shërbimi që transmetonte përmbajtje pa të drejta.