Dita e Alfabetit e gjeti presidentin e vendit Bajram Begaj në Shkodër, aty ku u zhvillua edhe simpoziumi shkencor “Alfabeti që bashkon shqiptarët”. Në një kohë kur mbrojtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe shihet si një sfidë e rëndësishme e kohës, për shkak të përdorimit të gjuhëve të huaja dhe ndikimit të rrjeteve sociale, Presidenti Begaj deklaroi se nevojiten projekte konkrete për përdorimin korrekt të gjuhës. Sakaq nënkryetari i kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, kërkoi themeliimin e një Instituti Albanologjik në Podgoricë, si një domosdoshmëri për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Mal të Zi.