Organizata e Kombeve të Bashkuara ngre alarmin për një rritje të rrezikut të motit ekstrem në mbarë botën, teksa ndikimet e El Nino kanë filluar të ndihen globalisht. Fenomeni klimatik mund të bëhet më i forti i regjistruar ndonjëherë dhe parashikohet të vazhdojë deri në fillim të vitit 2027, ka paralajmëruar Organizata Botërore Meteorologjike. Sipas agjencisë së OKB-së, ekziston pothuajse 100% mundësi që El Niño të vazhdojë deri në shkurt 2027, i nxitur nga temperaturat jashtëzakonisht të larta të Oqeanit Paqësor. Është hera e parë që Organizata Botërore Meteorologjike shpreh një nivel kaq të lartë sigurie në parashikimet e saj. "Nëse kjo prirje vazhdon, mund të jetë më i fortë se çdo El Niño i regjistruar që nga fillimi i monitorimeve. Praktikisht, do të jetë jashtë çdo parashikimi", tha Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Botërore Meteorologjike, Celeste Saulo. El Niño është një fenomen natyror që shfaqet çdo dy deri në shtatë vjet dhe shkakton ngrohjen e ujërave sipërfaqësore në lindje të Oqeanit Paqësor. Ai ndikon në modelet e reshjeve dhe temperaturave në mbarë botën, duke sjellë thatësira, reshje intensive, stuhi dhe tajfune. El Niño i këtij viti është një nga vetëm katër fenomenet e klasifikuara si "shumë të forta" që nga viti 1950. Për këtë arsye, Organizata Botërore Meteorologjike njoftoi se po forcon sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe bashkëpunimin me shtetet, për t'i ndihmuar të marrin masa në kohë në sektorë si bujqësia, shëndetësia, energjia dhe menaxhimi i fatkeqësive natyrore.