Gjatë dhjetë viteve të fundit në shumë pjesë të Evropës është rritur ndjeshëm rrezatimi ultravjollcë. Studiuesit paralajmërojnë për rritje të rrezikut për kancerin e lëkurës dhe dëmtimet e syve. Sipas një studimi të ri në disa zona të Evropës rritja e rrezatimit ultravjollcë (UV) gjatë periudhës 2013–2022 ka qenë 10 deri në 20 për qind. Studimi bazohet në të dhënat e 40 stacioneve të matjes së rrezatimit ultravjollcë në 19 vende evropiane, të mbledhura për një periudhë dhjetëvjeçare. Sipas studiuesve rezultatet tregojnë për herë të parë se rritja e rrezatimit ultravjollcë, e vërejtur më parë në disa vende të veçanta, mund të konstatohet në zona më të gjera të Evropës.