Një aksident me pasojë vdekjen e një 62-vjeçari nga Kosova është shënuar këtë të martë në Portin detar të Durrësit. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ndodhi në sheshin para skanerit, ku një kamion i drejtuar nga 49-vjeçari Nikolin Merdari, banues në Berat, përplasi aksidentalisht drejtuesin e një kamioni tjetër. Viktima, i identifikuar si Nexhmi Shabani, 62 vjeç, banues në Kosovë, po lëvizte në këmbë për të dorëzuar dokumentacionin e mjetit të tij, me qëllim kalimin në skaner, kur është goditur nga kamioni. Si pasojë e plagëve të marra, 62-vjeçari humbi jetën në spital. Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.