Në pamjet shihen forca sigurie dhe të afërm të dëshpëruar të të burgosurve në burgun e Guaiakil, në Ekuador ku përleshjet mizore mes bandave kanë lënë 60 të vdekur. Ky burg ka qenë gjithashtu skena e përleshjeve barbare të shtatorit ku të paktën 119 të burgosur të tjerë gjetën vdekjen. Në të gjithë sistemin e burgjeve të Ekuadorit të dominuar nga bandat e drogave, jane vrarë sivjet të paktën 300 të burgosur. Një oficer tha se policia kishte ndërhyrë për të ndërprerë përleshjet duke shpëtuar shumë jetë. Por bandat rivale të lidhura me trafikun e drogave sjellin betejat e tyre për territor edhe brenda institucioneve të mbipopulluara, me personel kryesisht të korruptuar. Më 28 shtator, në këtë burg u vranë 119 njerëz, në masakrën më të madhe të këtij lloji në historinë e Amerikës Latine. Ekuadori është një nga rrugët kryesore tranzite të kalimit të kokainës kolumbiane drejt kufijve të SHBA.