Një shumë prej 3.2 milionë eurosh cash është sekuestruar nga autoritetet italiane gjatë një operacioni kundër grupeve të dyshuara të Camorra-s në zonën e Napolit. Paratë u gjetën të fshehura brenda mureve të një apartamenti në Via Atellana, në Caivano. Pamjet e publikuara nga Karabinierët tregojnë momentin kur efektivët përdorin çekiçë për të shembur muret, ku ishin fshehur kartëmonedhat. Shuma, e përbërë kryesisht nga kartëmonedha 50-euroshe, ishte mbështjellë me kujdes me celofan dhe ishte vendosur në kova plastike. Bashkë me paratë, në apartament u gjetën edhe ora luksoze.