Në kuadër të 100-vjetorit të “Urdhrit të Skënderbeut”, presidenti Bajram Begaj dekoroi një sërë personalitetesh shqiptare dhe të huaja për kontributin e tyre në shkencë, kulturë dhe shërbim publik. Ish-presidenti Alfred Moisiu mori “Yllin e Madh” të “Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, së bashku me kirurgun Besim Elezi dhe gjuhëtarin Seit Mansaku. Me të njëjtën gradë u nderua edhe “babai” i Kodit Penal të Shqipërisë, Ismet Elezi. Grada “Oficer i Madh” iu dha studiuesve Aurel Plasari dhe Mateo Mandala, historianit Pëllumb Xhufi, albanologut Francesco Altimari, si dhe Ernesto Madeo, kryetar i komunës Shën Mitri në Kalabri, dhe Mimoza Dhëmbi.