Regjimi komunist në Shqipëri e shpalli barazinë gjinore si një prej parimeve themelore të ndërtimit të socializmit. Megjithatë, jeta e gruas shqiptare në komunizëm ishte e ndarë midis dy realiteteve: nga njëra anë, u promovua pjesëmarrja e saj në jetën publike dhe ekonomike; nga ana tjetër, kontrolli mbi jetën personale, trupin dhe seksualitetin e saj ishte i fortë dhe i pandërprerë. Pas viteve 1960, shteti shqiptar inkurajoi masivisht punësimin dhe arsimimin e grave. Megjithatë, këto role nuk ishin shprehje e vetëvendosjes individuale, por e politikës së Partisë së Punës për "emancipimin e kontrolluar". Seksualiteti ishte një temë tabu në Shqipërinë komuniste. Edukimi seksual mungonte, dhe bisedat rreth seksit ishin të ndaluara. Aborti ishte i paligjshëm, dhe gratë që ngeleshin shtatzëna jashtë martese stigmatizoheshin dhe shpesh ndëshkoheshin. Trupi i gruas nuk i përkiste asaj, por ishte subjekt i normave moralizuese dhe politikave pronataliste. Megjithatë në rrëfime të ndryshme gratë shprehen se kanë pasur jetë më të mirë seksuale.