Procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës po përballet me reagime të shumta nga ana e banorëve, të cilët kryesisht kërkojnë ekspertiza të thelluara dhe të sakta për objektet e tyre të banimit. Në lagjen nr.9 të Durrësit, së fundmi banorët po kundërshtojnë vendimin për shembjen e pallatit të tyre në mënyrë arbitrare, ndërsa banorët e këtij pallati 7-katësh në lagjen nr.5 kërkojnë ekspertizë të thelluar dhe prishjen e objektit që ka pësuar devijim të dukshëm të përcaktuar dhe nga ekspertët e huaj që e kanë parë objektin menjëherë pas tërmetit. “Jemi banorë të pallatit 2008 dhe duam ekspertizë të thelluar, pasi është mënjanuar 78 cm. Unë banoj në katin e 7-të. Ky nuk është për riparim, po për prishje. Jemi 32 familje”, shprehen banorët.