Edhe pse në vështirësi për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, pas shpalljes së nominimeve, Akademia KULT arrin të kurorëzojë, ashtu si prej pesëmbëdhjetë vitesh rresht, edhe fituesit e edicionit të 16 të Çmimeve “KULT”, të vetmet çmime kombëtare vjetore që përfshijnë gjithë spektrin e artit dhe kulturës shqiptare. Juria e Nderit e Akademisë KULT, e përbërë nga 184 anëtarë, përmes një platforme online të krijuar enkas për Çmimet “KULT 2020”, ka bërë përzgjedhjen e saj mes qindra e qindra botimeve, shfaqjeve, ekspozitave, koncerteve e festivaleve të sjella përgjatë gjithë vitit 2019 duke nominuar fillimisht 6 artistët më të vlerësuar në secilën prej 11 kategorive të çmimeve.