Makina e vjetër që nuk ndizet më, nuk ka vlerë në treg apo ka dalë jashtë përdorimit, mund të mos jetë më një barrë për pronarin. Një projektvendim i ri i përgatitur nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë parashikon që automjetet e tilla të dorëzohen pa pagesë për shkatërrim dhe riciklim, por me dy përjashtime. Kostot e trajtimit pritet të mbulohen tërësisht ose pjesërisht nga prodhuesit dhe importuesit profesionistë të automjeteve. Pagesa mund t’i kërkohet pronarit nëse makinës i mungojnë pjesë kryesore, si motori apo karroceria, ose nëse brenda saj janë vendosur mbetje që nuk kanë lidhje me automjetin.