Shqipëria ka përcaktuar tashmë zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës dhe kapacitetet prodhuese pas një studimi të financuar dhe kryer nga ekspertë të Bashkimit Europian. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte në Gjirin e Vlorës aty ku ushtrojnë aktivitet 7 subjekte të rritjes së kocës dhe levrekut. Duke iu referuar studimit, ministri tha se kapaciteti i Shqipërisë për zhvillimin e akuakulturës në det është 10 mijë ton peshk. Saranda dhe Vlora janë dy zonat prioritare për zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë blu. “Ka pasur mangësi në një planifikim dhe strategji më të mirë të këtij sektori. Prandaj ne bashkë me ekspertët e huaj përmes fondeve të Bashkimit Europian kemi bërë studimin për të gjithë sektorin dhe kemi arritur në përfundimin që kapaciteti i Shqipërisë për akuakulturë është rreth 10 mijë ton në det. Po të fusim këtu edhe ujërat e brendshëm, pra akuakulturën nëpër liqene artificiale, dhe troftikulturën shkojmë deri në 15-20 mijë ton prodhim peshku nga akuakultura”, tha ministri Çuçi.