Dikur kanë qenë vrasës apo bashkëpunëtorë në ngjarje kriminale, por më pas janë kthyer në një ndihmë madhore për hetuesit. Bëhet fjalë për të penduarit e drejtësisë, persona të cilët kanë bashkëpunuar me autoritetet për zbardhjen e ngjarjeve. Numri total i personave që kanë bashkëpunuar me drejtësinë nuk bëhet publik, kjo si një masë e marrë për të mbajtur të sigurt ata dhe familjarët e tyre. Në Shqipëri janë disa të tillë, të cilët pas një periudhe kohore të përfshirë në krim, kanë kaluar në krahun e drejtësisë. Diçka e tillë ndodh në dy raste, kur jeta e tyre është në rrezik kritik, si dhe kur ka mosmarrëveshje brenda grupit kriminal. Rrugëzgjidhja e tyre mbetet dorëzimi para hetuesve, pasi siguria e vetme mbetet qelia. Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, parashikon një sërë masash që merren për të gjithë personat që çojnë në duart e drejtësisë ish bashkëpunëtorët e tyre. Ftesa për bashkëpunim me drejtësinë i bëhet nga Prokuroria çdo personi që hetohet për krime që dënohen jo më pak se 7 vite burg. Ligji lejon nënshkrimin e marrëveshjes me prokurorinë kur i pandehuri dëshmon pa asnjë rezervë apo kusht, të gjitha faktet dhe rrethanat që di për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari kriminale. Por vetëm dëshmitë e të penduarve nuk janë të mjaftueshme, nëse thëniet nuk mbështeten në prova të tjera, që vërtetojnë akuzat. Me ndryshimet ligjore të vitit 2017, përveç zbardhjes së rrethanave të krimeve, “të penduarit” duhet të identifikojnë të gjitha pasuritë kriminale të tyre dhe bashkëpunëtorëve.