Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dha dorëheqje nga ky post, për t’u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të vitit. Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i dorëzoi dorëheqjen zyrtare presidentit, gjatë një takimi në Pallatin Presidencial në Talin, të hënën. Duke folur për kohën e Kallas si kryeministre, për plot tre vjet e gjysmë, presidenti estonez tha se “ishte një kohë me plot kriza, si: koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi tablonë e mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”. Dorëheqja e Kallasit shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit të saj tripartiak. Megjithatë, ai do të vazhdojë të shërbejë si qeveri teknike, derisa të betohet kabineti i ri, me shumë gjasa në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.