Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Arabinë Saudite të enjten, pasi tha më parë se dronët ukrainas mund të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë në rajonin e Gjirit. "Janë planifikuar takime të rëndësishme. Ne e vlerësojmë mbështetjen e atyre që janë të gatshëm të punojnë me ne për të siguruar sigurinë, dhe ne i mbështesim ata gjithashtu", tha ai në një mesazh në rrjetet sociale. Më herët të enjten, Zelensky ofroi ekspertizën e Ukrainës në teknologjinë e dronëve si një mënyrë për të përmirësuar sigurinë në të gjithë globin, veçanërisht në Gjirin Persik. “Kjo ka rëndësi sepse siguria energjetike - dhe kostoja e jetesës, veçanërisht në Evropë - varet nga nafta, gazi dhe burimet e tjera, si dhe nga tregjet e qëndrueshme globale”, tha ai më vonë në një intervistë me gazetën franceze Le Monde. ndërsa shtoi se në këmbim do të kërkonte ndihmë në mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të vazhdueshëm rus. "Do të donim që shtetet e Lindjes së Mesme të na jepnin gjithashtu një mundësi për të forcuar veten. Ato kanë raketa të caktuara të mbrojtjes ajrore që ne nuk i kemi të mjaftueshme. Për këtë do të donim të arrinim një marrëveshje", tha ai. BBC njoftoi se ka folur me disa kompani ukrainase të dronëve, të cilat thonë se janë kontaktuar nga shtetet e Gjirit për ndihmë, por ende nuk u është dhënë drita jeshile nga qeveria në Kiev.