Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas vendimit të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Më 12 maj, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar fizikisht aplikacionin e Kosovës në këtë Këshill. “Me këtë veprim, Prishtina ka shkelur edhe një marrëveshje që ka nënshkruar, e ajo është Marrëveshja e Uashingtonit. Ata e kanë shkelur brutalisht atë”, ka thënë Vuçiç. Kosova dhe Serbia në fakt nënshkruan në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.