Përfaqësuesit e Bosnjë e Hercegovinës kanë shprehur dëshirën që t'i bashkohen "Ballkanit të Hapur", ndërsa presidenti serb tha se kjo është nisma më e mirë në rajon, që sjell përfitime për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrësit e nismës “Ballkani i Hapur” janë mbledhur për dy ditë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për takimin e radhës. Të martën ata morën pjesë në një darkë pune, ndërsa në vijim do të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi. Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut - jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithatë, në Ohër po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.