Australianja Erin Patterson u dënua të hënën për vrasjen e tre të afërmve të moshuar të bashkëshortit të saj, të cilëve u serviri kërpudha helmuese, dhe për përpjekjen për të vrarë edhe një të katërt, në një rast që tërhequr vëmendjen e të gjithë vendit. Pas një jave shqyrtimi, juria doli në përfundimin se Erin Patterson i ftoi vjehrrën, vjehrrin dhe kunatën e saj, për drekë në shtëpinë e saj dhe i helmoi ata me mish viçi të gatuar me kërpudha vdekjeprurëse. Juria gjithashtu e shpalli 50-vjeçaren fajtore për tentativën e vrasjes së Ian Ëilkinson, burrit të kunatës, i cili i mbijetoi drekës fatale të vitit 2023 në shtëpinë e Erin Patterson në Leongatha, një qytet me rreth 6,000 banorë, rreth 135 km në juglindje të Melburnit. Patterson ishte deklaruar e pafajshme për katër akuzat, duke thënë se vdekjet ishin aksidentale. Nëna e dy fëmijëve do të dënohet tani në një datë të mëvonshme dhe përballet me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Ajo sidoqoftë do të mund ta apelojë vendimin. Gjyqi 10-javor tërhoqi interes global me mediat lokale dhe ndërkombëtare që u mblodhën në Gjykatë.